Gripi i shpendëve në Brazil/ Kosova ndalon importin, AKU pret pasojat te shqiptarët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.05.2025, 14:23

Pas konfirmimit të një shpërthimi të gripit të shpendëve në një fermë në Brazil, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka vendosur të ndalojë përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga ky shtet. Vendimi është marrë si një masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik, dhe do të qëndrojë në fuqi deri në një njoftim të dytë, bazuar në situatën epidemiologjike dhe rivlerësimin e rrezikut.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka vepruar njësoj duke ndaluar importet e mishit të shpendëve nga Brazili, i cili është eksportuesi më i madh në botë i këtij produkti.

E duke u ndalur te kjo duhet të përmendim faktin se Brazili është edhe një nga furnizuesit kryesorë të mishit në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 rreth 25% e mishit të konsumuar në vend erdhi nga Brazili, përfshirë mishin e gjedhit dhe të pulës. Vetëm gjatë muajve qershor–gusht të 2024-s, në Shqipëri u importuan 13,250 ton mish, ose mbi një e katërta e sasisë vjetore.

Edhe pse në mars 2025, në Shqipëri u bllokua një sasi prej 27 tonësh mish pule të importuar nga Brazili përmes Portit të Durrësit, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit Salmonella Typhimurium, për gripin e shpendëve ende nuk është marrë asnjë masë konkrete që kufizon ose ndalon importin e mishit të shpendëve nga Brazili.

Përkundrazi, mishi i pulës vazhdon të mbërrijë në Shqipëri edhe pse alarmin për rrezikun e përhapjes ë gripit e kanë dhënë autoritetet europianët, e masa kanë marrë edhe fqinjët. Ky qëndrim pasiv i autoriteteve shqiptare përballë një situate që mund të përbëjë rrezik për sigurinë ushqimore, ka nxitur kritika pasi në rastin e filetove me salmonelë, masat janë marrë vetëm pasi produkti ka hyrë në treg dhe është konsumuar nga qytetarët.

Gripi i shpendëve, një sëmundje virale shumë ngjitëse mes shpendëve, në raste të rralla mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova të drejtpërdrejta që mish apo vezë të kontaminuara mund të shkaktojnë infeksion te konsumatori, ndalimi i importit në vende të tjera është ndërmarrë si masë paraprake për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ky zhvillim risjell në vëmendje nevojën për kontroll më rigoroz të produkteve ushqimore të importuara në Shqipëri, sidomos ato që vijnë nga vende që nuk janë të certifikuara nga Bashkimi Europian për standarde të sigurisë ushqimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit