JOQ ALBANIA ka siguruar pamjet e atentatit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e kaluar në lagjen nr. 18 të Durrësit, ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ermir Dedja.
Në videon e siguruar, shihet automjeti i autorëve duke lëvizur kundravajtje në rrugë, pak sekonda para atentatit. Pas një të shtënë të fortë me armë, dëgjohen britmat e kalimtarëve që largohen me vrap.
Sipas të dhënave paraprake, Dedja po lëvizte i vetëm në trotuar kur u përball me atentatorin, i cili besohet se ka qenë i vetëm. Një prej plumbave e goditi rëndë dhe, pavarësisht dërgimit në spital, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Të shtënat ishin aq të fuqishme sa thyen edhe xhamat e një qendre shëndetësore pranë vendngjarjes.
Pak orë pas vrasjes, Policia gjeti në zonën e Vorës një automjet tip Seat, të djegur plotësisht, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Brenda mjetit është zbuluar edhe arma e zjarrit, me të cilën mendohet të jetë kryer atentati. Dyshohet se targat e automjetit kanë qenë të vjedhura për të shmangur identifikimin.
Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe po verifikon lëvizjet e fundit të mjetit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që viktima të jetë ndjekur nga një informator.
Nga verifikimet e policisë, Dedja rezulton i arrestuar në vitin 2015, si i dyshuar për përfshirje në trafik narkotikësh, dhe sërish në vitin 2017, për ndihmë ndaj një autori plagosjeje në Shijak.
Gjithashtu, ai kishte lidhje me persona të botës së krimit, përfshirë Aldo Avdylajn, nip i Astrit dhe Altin Avdylajt, krerë të një grupi të fuqishëm kriminal në Shijak. Avdylaj aktualisht është në kërkim për pjesëmarrje në grup kriminal dhe plane për vrasje.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista të mundshme për motivin e atentatit, përfshirë hakmarrjen apo konfliktet për pazare droge. Lëvizja e Dedjas i vetëm, në një zonë periferike dhe në orar të vonë, ka ngritur dyshime për mungesë vigjilence nga ana e tij, ndonëse ishte i përfshirë në rrethana kriminale.