Sa parkoi makinën, ky është Ermiri i vrarë në atentatin mafioz në Durrës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.05.2025, 11:27

Detaje të reja janë zbardhur rreth atentatit të ndodhur në mesnatë në Durrës, ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ermir Dedja.

Ditën e sotme në Vorë, pranë Gërdecit është gjetur një makinë tip "Seat" e djegur me targa të vjedhura. Edhe pse e shkrumbuar totalisht në sediljen e pasme të këtij mjeti është gjetur edhe arma kallashnikov e cila gjithashtu dyshohet se i përket autorëve.

Autoritetet po analizojnë lëvizjet e fundit të automjetit, në përpjekje për të identifikuar autorët dhe për të siguruar prova të tjera të vlefshme për zbardhjen e këtij atentati.

Dedja u qëllua me breshëri plumbash sapo kishte parkuar makinën e tij tip BMW. Megjithatë, hetimet paraprake tregojnë se vetëm një plumb e ka kapur viktimën, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

29-vjeçari ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte precedentë të mëparshëm penal dhe ishte i njohur për lidhjet me persona të botës së krimit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se Dedja kishte kontakte me Aldo Avdylajn, nipin e Astrit dhe Altin Avdylajt, të njohur si drejtues të një grupi të fuqishëm kriminal me bazë në Shijak.

Pista kryesore e hetimeve lidhet me hakmarrjen ose prishjen e pazareve për trafik narkotikësh, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që Dedja të jetë ndjekur nga një informator para se të ekzekutohej.

Hetimet vijojnë me intensitet, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit