Një qytetar nga Tirana ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një rast vjedhjeje që ka ndodhur ditën e djeshme në ambientet e biznesit të tij te Komuna e Parisit. Ai ka dërguar pamje filmike ku shfaqen dy të rinj, ku njëri prej tyre ka marrë dy telefona celular nga brenda lokalit.
Në pamje shihet fillimisht momenti kur dy adoleshentë kalojnë pranë lokalit, duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë. Vetëm pak sekonda më vonë, ata kthehen sërish mbrapsht dhe njëri prej tyre, i veshur me bluzë me kapuç të zi, futet me shpejtësi brenda lokalit. Ai përfiton nga fakti që nuk ka njeri pranë dhe merr dy celularë që ndodhen mbi banak, duke u larguar menjëherë më pas.
Personi tjetër që e shoqëron duket se rri jashtë për të vrojtuar dhe për t’i mbuluar shpinën. Veprimet e tyre janë të qarta dhe të kapura në mënyrë të pastër nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë momentin e saktë të vjedhjes.
Pronari i biznesit i bën thirrje të rinjve që të kthejnë telefonat celularë sa më parë, përndryshe paralajmëron se do t’i drejtohet Policisë së Shtetit për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore.
“Të na i kthejnë celularët se në kamera duket qartë kush janë”, thotë ai për JOQ Albania.