Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Rusia dhe Ukraina do të nisin menjëherë negociatat për një armëpushim dhe për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, pas një telefonate dy-orëshe me presidentin rus Vladimir Putin.
Putin konfirmoi gjithashtu se Rusia është e gatshme të punojë me Ukrainën për një marrëveshje paqeje dhe tha se është rënë dakord të punohet për një “memorandum” mbi pikat kryesore të një marrëveshjeje të mundshme.
Trump, në një postim në rrjetin e tij Truth Social, deklaroi se Vatikani ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar bisedimet. “Le të nisë procesi!”, shkroi ai.
Presidenti ukrainas Zelensky nuk ka komentuar ende publikisht për nisjen e bisedimeve, por një burim tha se ai ka biseduar shkurtimisht me Trump para telefonatës së këtij të fundit me Putinin.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance paralajmëroi se SHBA mund të tërhiqet nga procesi nëse nuk ka vullnet serioz nga Rusia për paqe.
Trump ka premtuar prej kohësh se do të sjellë një fund të shpejtë të luftës më vdekjeprurëse në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, Putin tha se synimi i tij kryesor është “eliminimi i shkaqeve rrënjësore të krizës” dhe falënderoi Trumpin për mbështetjen e tij në rifillimin e negociatave direkte me Kievin.
Pavarësisht kësaj, liderët e BE-së kërkojnë që SHBA të bashkohet me ta në vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për refuzimin e armëpushimit, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të avancojnë në Ukrainë dhe kontrollojnë aktualisht rreth 20% të territorit.