Erion Veliaj ka paraqitur një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat pranuan kërkesën e SPAK dhe vendosën masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Përmes avokatëve të tij, të cilët dorëzuan rekursin me postë, Veliaj kërkon ndryshimin e kësaj mase sigurie.
Erion Veliaj u arrestua më 10 Shkurt në ambientet e Bashkisë së Tiranës, pas një hetimi njëvjeçar nga SPAK, që çoi në ngritjen e disa akuzave të rënda ndaj tij. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në nëntë raste, dhe për “pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ndaj Veliajt është shtuar edhe akuza për futjen e sendeve të ndaluara në paraburgim, pasi është zbuluar se ka komunikuar përmes celularit me një punonjës të burgjeve gjatë transportit për në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa kishin krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh përmes organizatash dhe kompanish të lidhura me ta apo me të afërmit e tyre, duke përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj dyshohet se ka përfituar tre vila në një kompleks në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet për shpenzime të pajustifikuara rreth 800 mijë euro në blerje online. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një grup biznesmenësh, përfshirë Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe të tjerë, i ofronin Veliajt përfitime të ndryshme në këmbim të tenderave publikë dhe lejeve të ndërtimit, përmes sponsorizimeve, biletave avioni, OJF-ve dhe pasurive të paluajtshme.