Një shqiptar ka dështuar në përpjekjen për të marrë azil në Britani të Madhe, pasi pretendimi i tij se ishte homoseksual u hodh poshtë nga gjykata, e cila zbuloi se ai ishte i martuar me një grua.
Esmir Demaj kërkoi leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar, duke pretenduar se ishte gay dhe i rrezikuar në Shqipëri për shkak të orientimit të tij seksual. Por, hetimet gjyqësore zbuluan se në të njëjtën kohë ai ishte në një marrëdhënie me një grua dhe madje kishte ripajtuar marrëdhëniet me familjen, përfshirë babain e tij.
Sipas vendimit të gjykatës, Demaj "qëllimisht nuk tregoi se ishte në një lidhje me një grua, sepse besonte se kjo nuk do ta ndihmonte të qëndronte në Britani". Kjo ishte një përpjekje për të manipuluar sistemin e azilit në bazë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila lejon mbrojtjen e personave të persekutuar për orientimin seksual.
Në përfundim, gjykata rrëzoi kërkesën për azil të Demajt, duke theksuar se pretendimet e tij ishin të pabazuara dhe të papajtueshme me faktet. Rasti ka ngritur sërish debat mbi abuzimet me sistemin e azilit dhe nevojën për verifikim të fortë të pretendimeve të aplikanëve.