Dyshojnë për vjedhje votash, cilët kandidatë kërkojnë nga KQZ-ja pamjet filmike?

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 19.05.2025, 18:53

Janë bërë publike disa prej kërkesave të kandidatëve për deputetë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët kërkojnë pamjet filmike të procesit të numërimit të votave.

Dyshimet për manipulim të votave nuk vijnë vetëm nga opozita, por edhe nga vetë mazhoranca. Ndër emrat që kanë depozituar kërkesë në KQZ janë Xhemal Qefalia dhe Blerina Gjylameti, të cilëve po u zëvendësohen mandatet përkatësisht nga Ornaldo Rakipi dhe Olta Xhaçka. Edhe deputeti socialist Frrok Gjini pretendon për tjetërsim të votave preferenciale në Shkodër, ndonëse Partia Socialiste nuk arriti të siguronte mandat nga lista e hapur në këtë qark.

Nga opozita, ndër kandidatët që kanë kërkuar pamjet filmike janë Shkëlqim Shehu nga Kukësi, i cili humbi mandatin përballë Isuf Çelajt përmes votave të diasporës, dhe Ilir Alimehmeti në Tiranë, ku mandati i vetëm nga lista e hapur po i kalon Jorida Tabakut. Në Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja dhe Ilirjana Kuçana nga PD kanë bërë gjithashtu kërkesë për verifikimin e numërimit të votave përmes pamjeve filmike.

Sipas burimeve, mbi 15 kandidatë nga forca të ndryshme politike, me shumicën nga Partia Socialiste, i janë drejtuar KQZ-së me kërkesë për të siguruar pamjet e procesit të numërimit të votave preferenciale. Ndër ta përmendet edhe Etilda Gjonaj, e cila ka depozituar një kërkesë të tillë pranë institucionit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit