Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse është zbuluar paraditen e sotme në lagjen Matiqan të Prishtinës, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur dhe pa shenja jete në një qese të zezë pranë një grumbulli mbeturinash.
Referuar raportimeve nga mediat lokale, ngjarja është zbuluar nga një qytetar i rastësishëm, i cili ka lajmëruar menjëherë autoritetet. Pas këtij njoftimi, policët dhe mjekët emergjentë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se foshnja ishte pa shenja jete. Trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të kryhen ekzaminimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, foshnja u gjet në një qese plastike të zezë në zonën e vendgrumbullimit të mbeturinave në rrugën “Butofci”, ndërsa policia dhe hetuesit ndodhen në terren dhe kanë nisur hetimet mbi vdekjen dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Autoritetet kanë bërë thirrje publike për këdo që mund të ketë informacion lidhur me këtë rast, që të kontaktojë menjëherë Policinë.
Hetimet janë në vijim dhe pritet të zbulohet nëse foshnja ka lindur e vdekur apo ka humbur jetën si pasojë e braktisjes.