Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në burgun e Fushë-Krujës ku i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte bashkë me pesë të paraburgosur të tjerë. Rasti është konstatuar nga njëri prej tyre, i cili ka vënë re mungesën e gjatë të Muçës dhe ka hapur derën e tualetit, duke e gjetur atë të vetëvarur në grilën e ajrimit të dritares.
Qani Hamit Muça, 58 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ishte i divorcuar dhe pa precedentë penalë të mëparshëm. Ai ishte arrestuar më 12 gusht 2024 pasi qëlloi në drejtim të tre inspektorëve në momentin që IMT-ja i shembi banesën. Një nga plumbat kapi një prej punonjësve të IMT-së, Ilirjan Gavelli.
Në burgun e Fushë-Krujës ishte transferuar më 28 shtator 2024 nga IEVP “Jordan Misja”.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar me saktësi rrethanat që çuan në aktin tragjik të vetëvrasjes.