Policia e Shtetit ka shpërndarë një mesazh filozofik në llogarinë zyrtare në Instagram, duke këshilluar ndjekësit që gjatë jetës të shikojnë në katër drejtime: përpara, mbrapa, poshtë dhe anash. Duket se drejtori madhor Ilir Proda ka ngatërruar llogari dhe më pas story filozofik është fshirë.
“1- Përpara, për të ditur se ku po shkon. 2- Mbrapa, për të kujtuar se nga vjen. 3- Poshtë, që të mos shkelësh askënd. 4- Anash, për të parë se kush po të shoqëron”, shkruhej në postim, i shoqëruar me një foto me pemë poetike dhe një perëndim që duket më shumë si qetësia para një radari të fshehur.
Ndjekësit në rrjete sociale nuk vonuan me reagimet ironike. Nëse kjo është një përpjekje për të humanizuar imazhin e institucionit, ndoshta hapi tjetër është shpërndarja e horoskopit ditor për shoferët.