Rreth 39.1% e popullsisë shqiptare vuan nga hipertensioni arterial, një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru, të cilat përbëjnë rreth 50% të rasteve fatale nga sëmundjet kardiovaskulare në vend.
Të dhënat e publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), paralajmërojnë për rritje të ndjeshme të përhapjes së kësaj sëmundjeje. Muaji maj shënon muajin e ndërgjegjësimit për hipertensionin, një sëmundje që shpesh kalon pa simptoma të dukshme, duke e bërë të nevojshme matjen e rregullt të tensionit të gjakut si mënyrën më të sigurt për ta zbuluar dhe trajtuar.
Kështu sipas të dhënave zyrtare nga ISHP, 36.6% e personave me hipertension nuk e dinin që vuajnë nga kjo sëmundje dhe 34.7% e atyre që marrin trajtim nuk arrijnë ta mbajnë presionin nën kontroll.
Ekspertët mjekësorë nënvizojnë se, nëse diagnostikohet në kohë, hipertensioni mund të menaxhohet me ndryshime në stilin e jetesës si ushqyerje e shëndetshme, aktivitet fizik, reduktim të konsumit të kripës dhe ndjekje të rregullt të terapisë mjekësore.
Specialistët i bëjnë thirrje qytetarëve të kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore, sidomos ata mbi moshën 40 vjeç, për të parandaluar komplikacione serioze që mund të shmangen me ndërhyrje të hershme.