Shqipëria kampione e Europës: Gati gjysma e popullsisë në varfëri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.05.2025, 09:21

Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik për varfëri dhe përjashtim social në Europë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat.

Rreth 42% e popullsisë, ose mbi 1 milion qytetarë, përballen me një formë të rëndë të varfërisë, çka e pozicionon vendin në krye të listës, përpara Rumanisë dhe Turqisë.

Sipas metodologjisë së Eurostat, kjo kategori përfshin individë që jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën 7 nga 13 indikatorët bazë të jetesës, që përfshijnë pamundësinë për të paguar qiranë, mbajtjen e shtëpisë ngrohtë, përballimin e pushimeve vjetore ose blerjen e ushqimeve bazë si mishi, peshku apo ekuivalente vegjetariane.

Në nivel krahasues, vendet e Ballkanit Perëndimor paraqiten më mirë se Shqipëria: Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut (32.6%) dhe Serbia (30%). Ndërkohë, vendet me përqindjen më të ulët të popullsisë në rrezik për varfëri janë Çekia, Sllovenia dhe Hollanda.

Pavarësisht ritmeve pozitive të rritjes ekonomike në vend, raporti tregon se përfitimet nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë në shoqëri shqiptare, duke thelluar hendekun mes zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale.

Ekspertët e ekonomisë dhe organizatat sociale i bëjnë thirrje qeverisë të ndërmarrë masa urgjente për mbështetjen e shtresave në nevojë dhe për të forcuar rrjetin e mbrojtjes sociale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit