Rusia kryen sulmin më të madh me dron që nga nisja e luftës, një ditë para telefonatës Putin-Trump

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.05.2025, 20:48

Rusia ka ndërmarrë këtë të diel sulmin më të madh me dronë ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke shkatërruar banesa dhe duke vrarë një grua, vetëm një ditë përpara një telefonate të rëndësishme mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Vladimir Putin për një armëpushim të mundshëm.

Shërbimet ukrainase të inteligjencës thanë se Moska pritet gjithashtu të lëshojë një raketë ndërkontinentale si përpjekje për të trembur Perëndimin. Deri më tani, Rusia nuk ka dhënë asnjë koment ndaj këtij pretendimi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në përpjekje për të rikthyer besimin e Uashingtonit pas një vizite të dështuar në Shtepinë e Bardhë në shkurt, u takua të dielën në Romë me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio, në ceremoninë e inaugurimit të Papës Leo. Takimi zgjati 40 minuta dhe u vlerësua pozitivisht nga Zelensky.

Ukraina dhe Rusia zhvilluan të premten bisedimet e para ballë për ballë pas më shumë se tre vitesh, pas presionit të Trump për arritjen e një armëpushimi. Të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë nga 1000 të burgosur, por nuk arritën marrëveshje për ndalimin e luftimeve.

Ndërkohë, liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë do të flasin me Trump përpara telefonatës së tij me Putinin. Ata paralajmëruan sanksione të reja ndaj Rusisë nëse Moska nuk pranon armëpushimin.

Ushtria ukrainase njoftoi se Rusia lëshoi 273 dronë gjatë natës, një rekord i ri që tejkalon edhe atë të muajit shkurt. Në Obukhiv, pranë Kievit, një grua 28-vjeçare humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë 4-vjeç.

Trump ka ndryshuar qasjen amerikane ndaj luftës, duke shprehur më shumë mirëkuptim për narrativën e Moskës. Megjithatë, Zelensky ka deklaruar se pranon propozimin e Trump për një armëpushim të menjëhershëm prej 30 ditësh pa kushte, ndërsa Rusia kërkon ndalimin e furnizimeve me armë për Ukrainën dhe tërheqjen nga territore që Kievi i konsideron si pjesë të saj të pandashme.

Ndërkohë, një sulm tjetër rus me dronë të shtunën në rajonin Sumy vrau 9 civilë, përfshirë disa pasagjerë të një autobusi. Zelensky e quajti sulmin “të qëllimshëm” dhe kërkoi sanksione më të forta ndaj Moskës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit