Trafik i rënduar në Elbasan, qytetarët bllokohen për orë të tëra

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 18.05.2025, 20:15

Me nisjen e sezonit veror, përveç rritjes së temperaturave, nisin edhe problemet e zakonshme me trafikun në disa akse kryesore të vendit. Një ndër zonat më problematike mbetet ajo e Elbasanit, konkretisht rrethrrotullimi i Bradasheshit, një nyje strategjike që lidh Rrogozhinën me Korçën dhe shërben si rrugë kalimi për shumë qytetarë që udhëtojnë drejt Tiranës.

Në këtë pikë, trafiku shpesh shkon për kilometra të tëra, duke sjellë bllokime dhe vonesa të konsiderueshme për udhëtarët. Por situata përkeqësohet ndjeshëm edhe nga shoferë të papërgjegjshëm, të cilët shkelin rregullat e qarkullimit duke u futur në parakalime të gabuara, në mënyrë të rrezikshme dhe shpesh agresive.

Qytetarët janë të irrituar nga kjo sjellje, duke ndarë shqetësimet e tyre në redaksinë tonë. Një qytetar u shpreh: “Ja këto gangsterët që futen në parakalim duke hapur edhe bllokazh, a thua se kanë ndonjë emergjencë. Sikur janë më të mirë se ne të tjerët që presim në trafik derisa të zhbllokohet.”

Ndërkohë, një tjetër qytetar, i mbetur në trafik për më shumë se një orë, thotë: “Përshëndetje JOQ, kemi mbi 1 orë në trafik këtu në Vid-Has. Trafiku fillon që tek kthesa e Cërrikut dhe vijnë këto duke u futur në parakalime, duke na e vështirësuar kalimin akoma më shumë.”

Këto fenomene jo vetëm shtojnë tensionin dhe lodhjen për drejtuesit e përgjegjshëm të mjeteve, por përbëjnë edhe një rrezik real për sigurinë rrugore. Nevojitet ndërhyrje më e fortë nga strukturat e rendit për të disiplinuar qarkullimin dhe për të parandaluar kaosin dhe aksidentet në këtë aks strategjik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit