Mëngjesin e sotëm, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), me mbështetjen e Policisë së Qarkut, ka kryer kontrolle në qytetin e Elbasanit, si pjesë e një vendimi penal të dhënë nga Gjykata e Posaçme. Operacioni është shtrirë në ambiente biznesi, një lokal dhe tre banesa, dhe pason aksionin e mëparshëm në Kavajë ku u kontrollua edhe banesa e Elvis Rroshit.
Hetimi, i cili ka nisur disa ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, është përqendruar në akuzat për “korrupsion zgjedhor”. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje si telefona celularë, DVR dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë si prova.
Ky përbën ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë të SPAK në qytetin e Elbasanit në lidhje me zgjedhjet, megjithëse gjatë fushatës dhe ditës së votimeve nuk ishin raportuar raste të korrupsionit. Deri tani nuk janë bërë publike emrat e personave të dyshuar apo të hetuar.