Policia e Qarkut të Shkodrës ka vijuar operacionin “Koordinata” për të goditur kultivimin e bimëve narkotike, duke zbuluar dhe asgjesuar gjithsej 625 bimë kanabis sativa në disa zona të qarkut.
Kontrolli është përqendruar në njësitë administrative Postribë, Rrethina, Gruemirë, Kastrat dhe Shllak.
Në Postribë dhe Rrethina janë gjetur 188 bimë, dhe për këtë rast janë proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi kryepleqtë e fshatrave Drisht dhe Kir, si dhe një inspektor pyjesh. Në Malësi të Madhe janë gjetur 142 bimë, ndërsa në Vaun e Dejës, në zonën e Shllakut, janë zbuluar 295 bimë të tjera.
Pavarësisht zbulimeve, deri tani nuk ka të arrestuar apo persona të shpallur në kërkim. Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët.