Pasi votuan për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj, banorët e Laknasit i janë kthyer problemeve të vjetra të zonës së tyre, që janë fare elementare duke nisur që nga mungesa e rrugëve.
Të harruar nga pushteti dhe vëmendja e kryebashkiakut Kipe Sulua, banorët kanë rrëmbyer kazmat dhe kanë dalë vetë për të bërë punën e Kipes.
Ata shihen teksa me të gjithë forcën e tyre presin pemët që gati kanë bllokuar rrugën, teksa me vegla rrethanore përpiqen të rrafshojnë gropat e pakalueshme.
“Kena dal ne banoret duke e rregullu se s’kalohet me makina e as ne kemb,” shkruan denoncuesi.
Ata i bëjnë thirrje bashkisë të marrë masa të menjëhershme për rregullimin e kësaj rruge, e cila është e vetmja mënyrë për lëvizjen e banorëve.
Banorët e rrethinave të Kamzës herë pas here ankohen për lënien në harresë nga pushteti lokal, por Kipja duket se nuk e vret mendjen. Madje ai në një rast iu përgjigj një banori që ankohej për një rrugë në Bathote: “Me qe më keni denoncu te JOQ, harrojeni se sa të jem unë kryebashkiak për t’ua shtruar atë rrugë nuk kam.”