Një studim i ri shkencor ka zbuluar se një zakon i përditshëm dhe shumë i përhapur, që shumica prej nesh as nuk e vë re, mund të dëmtojë ndjeshëm trurin, duke ndikuar negativisht në kujtesë dhe përqendrim, si dhe duke rritur rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Bëhet fjalë për qëndrimin ulur për periudha të gjata kohore.
Studiues nga Vanderbilt University Medical Center analizuan ndikimin e jetës sedentare tek 404 të rritur mbi 50 vjeç, të cilët nuk kishin simptoma të demencës në fillim të studimit. Të gjithë iu nënshtruan testimeve të detajuara të trurit, përfshirë matjen e aktivitetit ditor me pajisje të posaçme, teste neuropsikologjike dhe rezonancë magnetike të trurit.
Rezultatet ishin shqetësuese: sa më shumë kohë kalonin pjesëmarrësit ulur, mesatarisht 13 orë në ditë, aq më shumë shfaqnin rënie në performancën e kujtesës, përqendrimit dhe përpunimit të informacionit. Madje, ata që qëndronin më shumë ulur kishin edhe një zvogëlim të zonës së hipokampusit, pjesë e trurit që lidhet drejtpërdrejt me kujtesën dhe të nxënit.
Më shqetësues është fakti se edhe në rastet kur pjesëmarrësit bënin aktivitet fizik, dëmet nga qëndrimi ulur nuk largoheshin plotësisht. Pra, edhe nëse ushtroni çdo ditë, qëndrimi ulur për shumë orë vazhdon të mbetet një rrezik serioz për trurin.
Studiuesit rekomandojnë që njerëzit, sidomos ata në moshë më të madhe ose me predispozita gjenetike për Alzheimer, të ulin kohën që kalojnë ulur dhe të shtojnë aktivitetin fizik përgjatë ditës.
Një studim tjetër i vitit 2018, i raportuar nga Harvard, arriti në përfundime të ngjashme: qëndrimi i zgjatur ulur lidhet me hollimin e zonave kyçe të trurit të lidhura me kujtesën, një shenjë e hershme e demencës.
Pra, ndoshta është koha të rishikoni stilin tuaj të jetesës dhe të mos i nënvlerësoni pasojat e qëndrimit të gjatë ulur. Truri juaj mund të jetë duke vuajtur në heshtje.