Një nënë nga zona e Astirit në Tiranë ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast shqetësues të prishjes së qetësisë publike nga lokali “Lov Qameti”, i cili thuajse çdo fundjavë transmeton muzikë live me volum të papërballueshëm për banorët e zonës përreth.
Nuk është hera e parë që qytetarët ankohen për këtë bar, ndërsa më shqetësues është fakti që pavarësisht telefonatave të vazhdueshme në polici, nuk është marrë asnjë masë deri më sot. Në denoncimin e fundit, nëna e revoltuar shprehet se nuk mund të qetësojë dot fëmijën e saj i cili është me temperaturë, për shkak të zhurmës së tmerrshme që vjen nga lokali.
Në videon që ka dërguar në redaksi dëgjohet qartë volumi i lartë i muzikës, që shpërthen nga lokali në orët e natës dhe futet pa pengesë në banesat përreth. Kjo situatë është kthyer në makth të përjavshëm për shumë familje në zonë, që kërkojnë vetëm një gjë: qetësi në shtëpinë e tyre.
Denoncimi i plotë:
'Mirëmbrëma JOQ! Kam bërë një ankesë te ju për një lokal të quajtur Lov Qameti në Astir që gati çdo fundjavë ka muzikë live dhe askush nuk merr masa edhe pse çdo herë e telefonojmë policinë. Ju lutem mund të na ndihmoni duke e ringritur dhe njëherë problemin, pasi policia nuk ka ndërmend as të vij. e jo më të marrë masa. Kemi fëmijën me temperaturë dhe nuk mundemi dot as ta qetësojmë!'
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje urgjente të institucioneve përkatëse, për t’i dhënë fund këtij abuzimi që po shkel të drejtën e qytetarëve për qetësi.