Një rast i pazakontë është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga punonjës të një servisi makinash në Tiranë. Ata tregojnë se i kishin dhënë një automjet me qira një klienti që kishte planifikuar të shkonte për pushime fundjave. Por pak më vonë, klienti u kthye duke thënë se sapo ishte furnizuar në një karburant në kryeqytet, dhe se makina kishte filluar të shfaqte probleme.
Kur makina u kontrollua nga stafi i servisit, ata u tronditën nga ajo çfarë panë në depozitën e karburantit. Siç shihet edhe në videon e dërguar, lënda e futur nuk ngjan aspak me naftë, përkundrazi, duket si një përzierje e dyshimtë, me ngjyrë të turbullt që mund të dëmtojë rëndë motorin.
“Për fat të mirë e kapëm në kohë dhe nuk pati dëmtime serioze. Por nuk kemi asnjë ide çfarë substance është kjo. Kërkojmë mendimin e qytetarëve: Si ju duket kjo përbërje? A keni përjetuar raste të ngjashme me karburantin në Shqipëri?”, thonë punonjësit e servisit për JOQ Albania.
Në një kohë kur çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartit në rajon, duket se cilësia e saj vazhdon të jetë një lotari e rrezikshme për çdo shofer.