Një aksident i frikshëm tronditi botën e Formula 1 gjatë provave zyrtare të Çmimit të Madh të Imolas, në pistën historike "Autodromo Enzo e Dino Ferrari" në Itali. Piloti japonez i Red Bull, Yuki Tsunoda, humbi kontrollin e makinës gjatë një xhiroje të shpejtë dhe u përplas me barrierat pas një përmbysjeje të frikshme.
Tsunoda, i cili këtë sezon ishte duke bërë progres pas kalimit nga Racing Bulls te Red Bull, ishte duke kërkuar një kohë më të shpejtë, por e teproi në kthesën “Villenueve”. Ai shkeli mbi bordurën e brendshme, humbi kontrollin dhe makina përfundoi në zhavor, por meqë shpejtësia ishte shumë e lartë, ajo nuk u ndal dhe përfundoi duke u përmbysur para se të godiste murin me forcë.
Për fat të mirë, Tsunoda doli vetë nga makina pa ndihmën e askujt dhe u dërgua menjëherë në qendrën mjekësore për kontrolle. Ai më vonë u rikthye në paddock dhe kërkoi ndjesë ndaj skuadrës për gabimin e bërë. “Jam shumë i zhgënjyer me veten. I kërkoj ndjesë ekipit, sidomos mekanikëve që tani kanë një natë të vështirë përpara,” u shpreh ai për Sky Sports.
Aksidenti ndaloi seancën kualifikuese për një orë të tërë, ndërsa pilotët dhe skuadrat u tronditën nga pamjet. Edhe vetë Max Verstappen tha se nuk e priste që shoku i skuadrës të dilte pa lëndime: “Kur pashë ritransmetimin, thashë: ‘Jezus, a është vërtet mirë?’ Ishte një përplasje e madhe.”
Imola është një nga pistat më të rrezikshme në kalendarin e Formula 1 dhe ky incident shton debatet mbi sigurinë në këtë garë. Madje janë përfolur edhe zëra për heqjen e Çmimit të Madh të Imolas nga sezoni i ardhshëm.
Pas pastrimit të pistës, seanca rifilloi për pak minuta, por u ndërpre sërish pas një tjetër aksidenti nga piloti i Alpine, Franco Colapinto, i cili gjithashtu shpëtoi pa lëndime.
Në fund, pole position-i iu dha Oscar Piastrit të McLaren, përpara Verstappen.
Tsunoda, i cili nuk arriti të vendoste asnjë kohë për shkak të aksidentit, pritet të niset nga vendi i fundit në garën e së dielës, nëse makina e tij mund të riparohet në kohë.