Vetëm disa orë na ndajnë nga finalja e Eurovision 2025, që këtë vit zhvillohet në Bazel të Zvicrës, ku 26 vende do të garojnë për trofeun prestigjioz. Sipas basteve më të fundit, Suedia, e përfaqësuar nga Kaj, është favoritja kryesore për të fituar, me kuota nën 2 në shumicën e agjencive të basteve. Pas saj vjen Austria me këngën “Wasted Love” nga JJ, ndërsa Franca, e përfaqësuar nga Louane, ka pësuar rritje të ndjeshme në renditje pas performancave të fuqishme në prova.
Ndër vendet që kanë përparuar ndjeshëm është edhe Finlanda me Erika Vikman, që pas gjysmëfinales ka parë rritje të kuotave në favor të saj. Holanda, ndonëse dikur në vendin e tretë, tani ka rënë në vendin e pestë, ndërsa Izraeli ka pësuar një rënie të theksuar duke dalë nga top 5. Estonia, ndonëse me një këngë shumë të përfolur, ka mbetur në vendin e shtatë, ndërkohë që Zvicra si vend mikpritës renditet në vendin e tetë me një paraqitje premtuese.
Shqipëria renditet në vendin e nëntë me Shkodra Elektronike, e cila po synon rezultatin më të mirë për vendin në mbi një dekadë. Italia, pas një kohe të gjatë jashtë top 10-shes, është rikthyer në pozitat e larta falë një performanse të fuqishme nga Lucio Corsi, edhe pse shanset për fitore mbeten të ulëta me kuota të larta deri në 176. Finalja premton emocione dhe surpriza, me disa vende që mund të përmbysin parashikimet në minutat e fundit.