Një incident i rëndë ndodhi në muajin shkurt gjatë një fluturimi të kompanisë ajrore Lufthansa, kur bashkëpiloti i një avioni Airbus A321 humbi ndjenjat ndërsa ishte vetëm në kabinën e pilotit. Sipas raportit përfundimtar të autoriteteve spanjolle, publikuar të enjten, fluturimi operonte në linjën Frankfurt–Sevilje dhe kishte mbi 200 pasagjerë në bord.
Ngjarja ndodhi rreth 30 minuta para uljes, pasi avioni kishte hyrë në hapësirën ajrore të Spanjës. Kapiteni kishte dalë përkohësisht nga kabina për arsye personale, duke besuar se bashkëpiloti ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.
Tetë minuta më vonë, kur u kthye, kapiteni konstatoi se dera e kabinës ishte e mbyllur dhe nuk po merrte përgjigje nga bashkëpiloti. Pavarësisht përpjekjeve për të futur fjalëkalimin pesë herë dhe komunikimit përmes interfonit nga një asistente fluturimi, nuk pati reagim.
Vetëm pak sekonda para përfundimit të kohëmatësit të sistemit të aksesit emergjent, bashkëpiloti rifitoi vetëdijen pjesërisht dhe hapi derën. Sipas raportit, ai ishte “i zbehtë, i djersitur dhe me lëvizje të pazakonta”.
Kapiteni kërkoi ndihmë të menjëhershme. Ekuipazhi dhe një mjek që ndodhej në bord i dhanë ndihmën e parë, ndërsa avioni u devijua për në Madrid ku u ul me sukses. Bashkëpiloti 38-vjeçar u transportua menjëherë në spital, ku u diagnostikua me një krizë epileptike, të shkaktuar nga një çrregullim neurologjik.
Autoriteti spanjoll i Aviacionit Civil thekson se gjendje të tilla janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zbuluar nëse nuk ka simptoma gjatë kontrolleve rutinë mjekësore.
Si masë parandaluese, ekspertët rekomandojnë që Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) të kërkojë nga linjat ajrore një rishikim të protokolleve për rastet kur vetëm një pilot ndodhet në kabinë.