Papa Leoni XIV deklaroi të premten se familja është themeluar mbi “bashkimin e qëndrueshëm midis një burri dhe një gruaje” dhe theksoi se të palindurit dhe të moshuarit gëzojnë dinjitet si krijesa të Zotit. Ai artikuloi qëndrime të qarta të Kishës Katolike mbi martesën dhe mbrojtjen e jetës në fillim të pontifikatit të tij.
Në takimin e tij të parë me trupin diplomatik të Vatikanit, papa i parë amerikan bëri thirrje për ringjalljen e diplomacisë shumëpalëshe dhe për nxitjen e dialogut ndërfetar në funksion të paqes. Fjalimi u mbajt në një audiencë private, por teksti i tij u publikua nga Vatikani.
Duke vënë paqen si përparësi të papatit, Papa Leoni tha se ajo nuk është vetëm mungesë e konfliktit, por një “dhuratë” që kërkon përkushtim, që nga ndalimi i prodhimit të armëve deri te përdorimi i kujdesshëm i fjalëve. “Edhe fjalët, jo vetëm armët, mund të plagosin dhe madje të vrasin,” tha ai.
Ai shtoi se ndërtimi i shoqërive paqësore kërkon investim në familje dhe respekt për dinjitetin e çdo personi, veçanërisht më të brishtëve – nga të palindurit deri te të moshuarit, të sëmurët, të papunët, qytetarët dhe emigrantët.