Një studim i ri nga Universiteti Yale ka ngritur shqetësime të reja për vaksinat kundër COVID-19, duke identifikuar një gjendje të re shëndetësore të quajtur “Sindroma Post-Vaksinim” (PVS), që shfaq simptoma të rënda dhe ndryshime biologjike që mund të zgjasin për vite pas marrjes së vaksinës.
Sipas studiuesve, kjo sindromë lidhet edhe me riaktivizimin e virusit Epstein-Barr, i cili qëndron latent te shumica e njerëzve dhe mund të shkaktojë simptoma gripale të vazhdueshme.
Studimi u krye mbi mostra gjaku të 42 pacientëve me PVS dhe u krahasua me një grup kontrolli prej 22 personash që kishin marrë vaksinën por nuk kishin shfaqur simptoma.
Rezultatet treguan se ata me PVS kishin nivele të ndryshme të qelizave imunitare dhe nivele të larta të proteinës spike të COVID-it, edhe pas disa vitesh nga vaksinimi.
E njëjta proteinë u gjet edhe te pacientët që kishin kaluar forma të gjata të COVID-it. Të dy grupet gjithashtu kishin virusin Epstein-Barr të riaktivizuar, çka shton dyshimet se vaksinat mund të kenë ndikuar negativisht në disa individë.
Sascha Schwartz, 32 vjeç nga Gjermania, thotë se ka vuajtur nga ethe, marramendje, dhimbje koke dhe një “mjegull në tru” që i ka shkatërruar jetën pas marrjes së vaksinës AstraZeneca.
“Ndjehem sikur jam bllokuar në trupin tim. Sikur nuk ekzistoj më,” u shpreh ai.
Për muaj të tërë, mjekët e refuzonin, duke i lidhur simptomat e saj me probleme psikologjike. Vetëm pas gjashtë muajsh, ajo gjeti një imunolog që e mori seriozisht.
Në vitin 2023, familja Scott në Britani paditi kompaninë AstraZeneca, pasi Jamie Scott mbeti me dëmtime të përhershme në tru për shkak të një sëmundjeje të rrallë të shkaktuar nga vaksina – VITT. Si pasojë, kompania u detyrua të pranojë në shkurt 2024 se vaksina e saj “në raste shumë të rralla mund të shkaktojë VITT”.
Ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, është angazhuar në reformimin e skemës së dëmshpërblimeve për personat e prekur nga efektet anësore të vaksinave.
Dr. Harlan Krumholz, bashkautor i studimit nga Yale, theksoi rëndësinë e dëgjimit të pacientëve: “Është e qartë se disa persona po përballen me sfida serioze pas vaksinimit. Detyra jonë është t’i marrim seriozisht.”