Plagoset me thikë 16-vjeçari në Maliq, gjyshja e autorit 14-vjeç: E tallte në shkollë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 16.05.2025, 17:42

Një sherr me thika ka ndodhur rreth orës 13:40 mes dy adoleshentëve në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku për pasojë një 16-vjeçar ka mbetur i plagosur.

Sipas policisë, autori i ngjarjes është një djalosh i moshës 14-vjeçare. Bëhet e ditur se sherri mes adoleshentëve kishte nisur për motive të dobëta dhe grindje të herë pas hershme në shkollë, ku autori i ndaluar ka deklaruar se i plagosuri e ngacmonte me fjalë.

Një reagim për ngjarjen e ka bërë dhe gjyshja e 14-vjeçarit, Arefije Kora, e cila thotë se ishte në shtëpi kur e mësoi se çfarë kishte ndodhur, dhe thotë se 16-vjeçari e ngacmonte prej kohësh nipin e saj.

“Unë isha në shtëpi, vjen djali që nga shkolla, nuk e di a vajti në shtëpi a nuk vajti se unë djalin e kam të ndarë. Më tha: Nëna u zura me atë djalin që më tallte shumë. Nuk pandeha që ishte bërë kaq e madhe. Më tha unë kisha atë thikën, ai më shtriu në tokë, unë nuk do e godisja, por nuk e di si e zuri thika. Unë nuk e mora për atë thikën.

Ai më shtriu i pari në tokë, unë lëviza dhe atë e zuri thika. Nga këtu shkova tek i ati i tij, më doli gjyshja e tij, i tregova. Ajo po thërriste, ka të drejtë, nuk i zemërohem dot. Më tha djalin e plagosur e çuam në Korçë, o bëhet, o nuk bëhet. Marrim taksinë për të shkuar në Korçë, rrugës marrim gjyshin e djalit dhe e pyesim si është, se jemi nisur. Ne djalin e kemi në Korçë na tha po mos hajdeni se po erdhët do bëhet e madhja, do vritemi, nuk ju lë të gjallë. U kthyem, gjetëm policinë, i pyetëm, na thanë po kërkojmë thikën.

E tallnin shumë djalin, më shumë pa shkollë djali, se me shkollë. Më tallnin thoshte po se përse, nuk e di. Ju kam vajtur në shtëpi, nuk e di unë e shkreta. Nuk janë shokë klase. Ne ankoheshim te këta, djalin e tallte dhe vinte në shtëpi duke qarë.

Thikë e shtëpisë ishte, një që qëronim mollë. Unë nuk e dija që ishin zënë, po bëja drekën kur erdhi ai duke qarë. Këtë duam ne. Ne në shkollë nuk jemi ankuar, te prindërit e djalit kemi shkuar. Ky djali e shante gjithmonë, për këtë ankohej,” tha gjyshja e autorit.

I plagosuri nga ana tjetër ndodhet në spitalin e Korçës jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Maliq/Informacion paraprak. Rreth orës 13:40, në fshatin Sheqeras, Maliq, një 14-vjeçar ka dëmtuar me mjet prerës thikë një 16-vjeçar, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rezikut për jetën.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit