Abdixhiku mbron Përparim Ramën: Fushata kundër LDK-së ka nisur me sabotim dhe bërllog, por s’na ndalni dot

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 19.05.2025, 08:49

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar me grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si nisje të fushatës zgjedhore përmes sabotimit politik.

“Fushata në Prishtinë paska nisur. Me mbeturina. Lodhët. Edhe keq. E gjitha, për hiçgjë”, ka shkruar ai në një reagim publik.

Abdixhiku thotë se kjo është një përpjekje e ulët politike, që përmes sabotimeve nga njëra anë dhe “mendimtarëve parapolitikë gishtvënës” nga ana tjetër, synon të dëmtojë imazhin e Komunës dhe punën e LDK-së në kryeqytet.

Ai akuzon se ndërmarrja “Pastrimi” ka kohë që është vendosur nën kontrollin e kundërshtarëve politikë, duke e mbajtur jashtë menaxhimit të Komunës dhe tani është e vendosur në bojkot.

“Këta që sot na bëjnë politikë mbeturinash, ka kohë që kanë marrë në kontrollë të plotë ndërmarrjen për pastrimin e tyre. Po, qytetarë, janë bërë bashkë dhe e mbajnë Ndërmarrjen Pastrimi jashtë menaxhimit Komunal. Si të tillë e vendosin edhe në bojkot; bërllog plot, por ndërmarrja refuzon të punojë”, shkruan Abdixhiku.

Kreu i LDK-së thekson se sabotimi nuk ndalet këtu – ai thotë se kundërshtarët politikë po bllokojnë edhe përpjekjet për të angazhuar ndihmë shtesë për pastrim, duke lënë qytetin të përmbytur nga mbeturinat, vetëm që të thonë se “komuna s’po punon”.

“E sa për të mos mjaftuar e gjithë kjo, mblidhen sërish në asamble, sërish bllok, për të ndaluar – besoni ose jo – angazhimin e dikujt tjetër për pastrim. Skenari gati. Telefonat gati. Fotografitë po. Qyteti me mbeturina plot, fushata vazhdon: Komuna s’po punon!”, përfundon ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit