Një lajm i hidhur vjen nga QSUT-ja, ku mjeku i njohur pediatër Bashkim Nezaj, është ndara nga jeta në mënyrë të parakohshme, teksa ishte në krye të detyrës.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të kësaj të enjte, ku mjeku ishte në krye të detyrës, duke i dhënë shërbim fëmijëve të vegjël. Miqtë dhe kolegët kanë shprehur keqardhjen e tyre për ikjen nga kjo jetë të mjekut që njihej për qetësinë dhe përkushtimin që e karakterizonte në misionin për t’i shërbyer të vegjëlve.
Nezaj ishte në krye të detyrës, në tunin e shërbimit të rojës në Spitalin Pediatrik në QSUT, kur u nda nga jeta si pasojë e një infarkti.
Një qytetar shpreh keqardhjen dhe mirënjohjen për shërbimin e mjekut, duke shkruar për redaksinë tonë: “Pershendetje! Sot ka humur jeten Dr.Bashkim Nezaj, mjek pediater infeksionist. Ju lutem shkruani dicka, nje postim ne kujtim te tij sepse ishte nga pak mjeket profesionist dhe qe sherbeu me zemer dhe pa asgje ne kembim. Ai i shpetoi jeten tim biri dhe jam e sigurt qe ka mijera te tjere qe i jane mirenjohes si une!”
Redaksia jonë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe kolegëve të doktorit!