Zgjedhjet parlamentare të majit 2025 shënuan një rënie të ndjeshme të numrit të votuesve brenda territorit të Shqipërisë, me 200 mijë më pak qytetarë që morën pjesë në votime krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në kutitë e votimit u paraqitën 1,461,899 qytetarë, ose 12% më pak se katër vite më parë.
Qarku i Beratit rezulton me rënien më të madhe të pjesëmarrjes, me 17%, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Gjirokastra me nga 16%. Emigracioni dhe plakja e popullsisë konsiderohen si faktorët kryesorë të kësaj tkurrjeje, ndërsa të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë viteve 2022–2023 rreth 100 mijë shqiptarë emigruan drejt vendeve të BE-së.
Tirana mbetet qarku me peshën më të madhe elektorale, me 449,667 votues në 2025, megjithë një rënie prej 7.8%. Kryeqyteti përfaqëson tashmë 30.8% të elektoratit aktiv, duke forcuar rolin vendimtar në rezultatin kombëtar.
Ndërkohë, qarqet Fier, Durrës dhe Elbasan humbën mbi 70 mijë votues së bashku, me rënie dyshifrore. Në veri, Shkodra regjistroi rënien më të madhe me 15%, ndërsa Kukësi shënoi një rënie më të moderuar prej 10%, pas valëve të mëparshme të emigracionit.
Analistët theksojnë se përveç emigracionit dhe ndryshimeve demografike, edhe mosbesimi i të rinjve ndaj politikës, kostoja e lartë e jetesës dhe mungesa e alternativave politike po kontribuojnë në uljen e pjesëmarrjes. Në këtë sfond, rritet edhe nevoja për përfshirjen e diasporës dhe përditësimin e regjistrave civilë për të garantuar një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe legjitim.