Katër kandidatë burra që kanë siguruar më shumë vota preferenciale se rivalët e tyre në listat e hapura nuk do të jenë pjesë e Parlamentit të ri, si pasojë e zbatimit të kuotave gjinore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Ligji kërkon që të sigurohet përfaqësim gjinor i balancuar, duke përcaktuar se asnjë gjini nuk mund të përfaqësohet me më pak se 30% në Kuvend. Kjo ka çuar në zëvendësimin e disa kandidatëve meshkuj të renditur më lart në listë përmes votave të qytetarëve, me gra që kanë marrë më pak mbështetje elektorale.
Në qarkun e Beratit, analisti Julian Zyla, i treti më i votuar në listën e PS-së, nuk do të marrë mandatin, i cili i kalon Hatixhe Konomit – pavarësisht se kjo e fundit ka rreth 1200 vota më pak. Një situatë e ngjashme është regjistruar në Durrës, ku Ilir Ndraxhi humbet mandatin në favor të Etleva Budinit, e cila ka 1900 vota më pak.
Në Korçë, Arian Jaupllari nuk do të jetë deputet, edhe pse ka më shumë vota se Besa Spaho, ndërsa në Tiranë Xhemal Qefalia i PS-së është një tjetër kandidat që humbet vendin për shkak të kuotave.
Këto raste kanë ngjallur debate mbi ndikimin e kuotave gjinore në vullnetin elektoral dhe përfaqësimin proporcional të votës, duke rikthyer në vëmendje diskutimin për një balancë më të mirë mes barazisë gjinore dhe meritokracisë elektorale.