Një tjetër tender i dyshimtë i dhënë nga një institucion lokal po ngjall reagime. Bëhet fjalë për një kontratë me vlerë rreth 800 milion lekë të vjetra me TVSH, dhënë nga Bashkia Cërrik, për rikonstruksion rrugësh.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga JOQ Albania, fitues i tenderit është shpallur bashkimi i operatorëve “EN-SAL” shpk, në pronësi të Santiliano Hoxhës, dhe “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”, në pronësi të Arbër Abazit, nipit të ish-deputetit socialist Sadri Abazi.
Tenderi mban numrin e referencës REF-42047-03-20-2025 dhe është zhvilluar me procedurë të hapur.
Fondi limit i përcaktuar nga Bashkia Cërrik ishte 69,269,050 lekë të reja pa TVSH
Oferta fituese: 66,165,701.25 lekë të reja pa TVSH, vetëm pak më e ulët se fondi limit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën reale në këtë procedurë.
Më shqetësues është fakti se, sipas dokumenteve të tenderit, në garë morën pjesë pesë kompani, tre prej të cilave kanë ofruar vlera ndjeshëm më të ulëta se fituesit. Megjithatë, oferta e bashkimit ku përfshihet kompania e Arbër Abazit është shpallur fituese, pa argumentime publike bindëse mbi përzgjedhjen.
Arbër Abazi është tashmë një emër i njohur në rrjetin e përfituesve të fondeve publike. Vetëm në vitet e fundit, ai ka fituar një numër të konsiderueshëm tenderash nga institucione të ndryshme shtetërore, duke u kthyer në një nga përfituesit më të mëdhenj të parasë publike, përmes kompanisë së tij ALKO IMPEX CONSTRUCTION.
Ky tender i fundit në Cërrik nuk bën përjashtim dhe ngre sërish dyshime për favorizim dhe mungesë transparence në përdorimin e fondeve të taksapaguesve. Megjithëse procedura është klasifikuar “e hapur”, duket se rezultati ka qenë shumë i parashikueshëm.