Situata në Qarkun e Tiranës po ndryshon me shpejtësi teksa numërimi për listën e hapur të Partisë Demokratike po shkon drejt gjysmës ku deri tani janë numëruar rreth 50% e kutive. Ndërkohë që PD ka siguruar 13 mandate, vetëm një prej tyre i takon votës preferenciale – dhe ky është kthyer në një duel të fortë mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit.
Të dhënat më të fundit tregojnë një përmbysje të situatës, me Jorida Tabakun që aktualisht ka 8.954 vota, duke lënë pas Ilir Alimehmetin i cili aktualisht ka 8.560 vota. Diferenca prej rreth 400 votash ka ndryshuar dinamikën e garës, duke e vendosur Tabakun në prag të rikthimit në Kuvend përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Kjo garë ka ngjallur interes të madh pasi të dy emrat u lanë jashtë listës së mbyllur të 12 kandidatësh të përzgjedhur nga Berisha, duke e bërë votën popullore vendimtare për fatin e tyre politik.
Tabaku, me një profil të konsoliduar teknik dhe parlamentar, duket se po korr frytet e angazhimit të saj ndër vite. Ndërkohë, Alimehmeti, i njohur për tonin qytetar dhe qëndrimet kritike, vazhdon të gëzojë një mbështetje të gjerë, por në këtë fazë mbetet pas.
Me numërimin që po shkon drejt 50% të kutive, gara mbetet ende e hapur – por aktualisht balanca anon qartazi nga Tabaku. Një rezultat që jo vetëm përcakton një mandat, por edhe drejtimin që demokratët duan t’i japin së ardhmes së tyre politike.