Një shqiptar që jeton në Itali ka reaguar përmes një video-mesazhi për redaksinë tonë, duke krahasuar atmosferën gjatë “Giro d’Italia” në Itali me situatën në Shqipëri gjatë tri ditëve të maratonës çiklistike që u zhvillua në Durrës, Tiranë dhe Vlorë.
Ai tregon se në Itali rrugët bllokohen që herët në mëngjes dhe askush nuk ankohet, përkundrazi qytetarët e shohin si festë dhe presin çiklistët buzë rrugës.
“Për të gjithë ju o shqiptarë që u ankuat se do kalonte “Giro d’Italia” dhe do bllokoheshin rrugët. E kemi bllokuar rrugën që në orën 08:00 deri në orën 15:00 pasdite, turistët na erdhën në këmbë, i prisnim sot.
Është një event i rrallë në qytet. “Giro” do kalojë që këtu, rrugën e kemi bllokuar që në mëngjes, askush nuk ankohet por të gjithë presin që të kalojnë çiklistët.
Se në Shqipëri jeni mësuar vetëm me të ankuar e me të qarë, nuk shikoni asnjëherë anën pozitive”, thotë shqiptari.
Në Shqipëri, gjatë mbajtjes së “Giro d’Italia”, nuk munguan ankesat e shumta për bllokimin e rrugëve dhe trafikun e rënduar, duke ngritur pikëpyetje nëse vendi ynë ka kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme për të organizuar ngjarje të mëdha ndërkombëtare pa shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët.