Në qarkun e Durrësit, ndërsa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, një emër që po tërheq vëmendjen është ai i ish-prokurorit Arian Ndoja, i cili po kryeson listën e hapur të PD-së me 2180 vota preferenciale, duke u bërë kandidati më i votuar i kësaj liste dhe thuajse i sigurt për një mandat deputeti.
Por përveç rezultatit të lartë, Ndoja është një figurë kontroverse me një të kaluar që ngre pikëpyetje serioze për përfaqësimin në Kuvendin e ardhshëm. Ai është dëbuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet me një vendim përfundimtar nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA), në kuadër të procesit të Vettingut.
Sipas vendimit të KPA-së të vitit 2022, ndaj tij u ndërpre procesi i rivlerësimit kalimtar dhe u vendos ndalimi i rikthimit në sistemin e drejtësisë në çdo funksion për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi ishte përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm. Arian Ndoja u përjashtua pasi u gjet me probleme në dy nga tre kriteret e Vettingut.
Por një nga ngjarjet më të bujshme që e bëri emrin e tij të njohur publikisht ishte atentati ndaj tij më 1 nëntor 2019, ku ai udhëtonte në makinë së bashku me Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, një person i lidhur me botën e krimit të organizuar.
Kandidimi dhe përparësia e Ndojës në listën e hapur të PD-së ngre shumë pikëpyetje për cilësinë e përfaqësimit që do të kenë qytetarët në legjislaturën e re. Fakti që një ish-prokuror i përjashtuar nga drejtësia, i përfshirë në ngjarje të rënda, është në prag të marrjes së një mandati parlamentar, është një alarm për publikun shqiptar.
Rasti i Ndojës është një shtysë e fortë për një reflektim më të thellë: Kush po hyn në Kuvend? Çfarë përfaqësojnë këta njerëz? A është përfaqësim i denjë për qytetarët shqiptarë?