PD shkrin në Sarandë/ Më keq se në ’97, elektorati ndëshkon “opozitën e tenderave”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13.05.2025, 22:00

Partia Demokratike ka pësuar një humbje të paprecedentë në Sarandë, duke regjistruar rezultatin më të dobët në historinë e saj politike, madje edhe më të keq se ai i vitit 1997 – kur vendi ndodhej në kaos total.

Me mbylljen e numërimit në qarkun Vlorë dhe përfshirjen e votave të diasporës, ndarja përfundimtare e mandateve është: 9 për Partinë Socialiste dhe vetëm 3 për Partinë Demokratike. Një katastrofë politike për PD-në, veçanërisht në Sarandë, ku dikur dominonte bindshëm.

Në vitin 2003, Partia Demokratike fitoi çdo bashki e komunë në zonën e Sarandës. Por sot, kjo zonë ka kthyer krahët plotësisht – një rezultat që pasqyron jo thjesht rënie elektorale, por një ndëshkim të hapur nga votuesit.

Një faktor kyç që ka ndikuar në këtë rënie është edhe prania e Ina Zhupës si përfaqësuese e qarkut Vlorë përfshirë Sarandën. Zhupa, e njohur për lidhje të diskutueshme me tendera të marrë nga qeveria socialiste ndërkohë që vetë ishte pjesë e opozitës, është përceptuar nga një pjesë e madhe e elektoratit si simbol i opozitës së kapur, pa zë dhe pa integritet.

Ky perceptim ka ushqyer zhgënjimin, sidomos në zonat ku PD dikur gëzonte mbështetje masive. Votuesit e djathtë, të lodhur nga pazaret politike dhe mungesa e një qëndrimi të fortë opozitar, ose kanë qëndruar në shtëpi, ose kanë votuar alternativa të reja.

Lista e kandidatëve e ofruar nga PD për këto zgjedhje ishte e dobët dhe pa figurë frymëzuese. Kandidatët nuk arritën të krijonin asnjë lidhje reale me publikun, duke lënë përshtypjen e një force politike të dorëzuar dhe të shkëputur nga realiteti.

PD nuk po humb thjesht vota në Sarandë – po humb terren politik në mënyrë të pakthyeshme. Nëse nuk ndodh një reflektim serioz, një reformim i thellë dhe një ndarje e qartë me figurat që kanë konsumuar besimin publik, PD rrezikon të zhduket përfundimisht nga harta elektorale e jugut.

Saranda ka folur qartë: votuesit nuk e duan më një opozitë që bashkëpunon me pushtetin për interesa personale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit