Një ngjarje prekëse ka ndodhur në Perak të Malajzisë, ku një elefant i vogël, vetëm pesë vjeç, humbi jetën pasi u përplas nga një kamion në orët e para të mëngjesit më 11 maj.
Sipas mediave malajziane, rreth orës 2:50 të mëngjesit, një shofer që po udhëtonte përgjatë autostradës Gerik-Jeli nuk arriti të shmangte elefantin e vogël që doli papritur në rrugë. Përplasja ishte fatale, dhe këlyshi mbeti i zënë nën kamion.
Pamjet nga vendngjarja treguan momentet prekëse kur nëna elefant tentoi me forcë të zhvendoste kamionin për të shpëtuar të voglin e saj, por pa sukses. Edhe pas konfirmimit të ngordhjes së këlyshit, nëna nuk u largua nga vendi për më shumë se pesë orë, duke mbështetur kokën te pjesa e përparme e kamionit që i mori jetën të birit.
Zyrtarët e mjedisit u detyruan ta qetësonin nënën me medikamente për ta larguar në mënyrë të sigurt. Trupi i këlyshit u transportua dhe do të varroset nga autoritetet përkatëse.
Ngjarja ndodhi pikërisht në Ditën e Nënës, duke prekur zemrat e mijëra njerëzve në rrjetet sociale, të cilët shprehën dhimbje dhe solidaritet për dhimbjen e pafund të nënës elefant.