Prej më shumë se dy javësh, tregu Agroushqimor në Kukës ndodhet në një situatë alarmante për sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve, ndërsa uji i pijshëm është përzier me energjinë elektrike, duke krijuar rrezik real për jetë njerëzish.
Sipas punonjësve dhe tregtarëve, tubat e ujit të pijshëm kanë plasur dhe për shkak të një defekti të madh tubat me ujë kanë prekur edhe telat e korrentit. Ata thonë se askush nuk guxon të punojë më në kushte të tilla, nga frika e ndonjë tragjedie.
Sipas tyre Bashkia Kukës është vënë në dijeni për këtë problem, ka inspektuar terrenin, por është shprehur se problemi është në kompetencë të OSHEE-së. Kjo e fundit është njohur gjithashtu me problemin, por s'ka marrë përgjegjësi, pavarësisht ankesave të përsëritura.
Ndërkohë, UKK (Ujësjellës Kanalizime Kukës) nuk është paraqitur fare në terren, sipas qytetarëve.
“Ka ardhur bashkia, tha ‘nuk kemi çfarë bëjmë’, e kanë lënë si problem të korentit dhe janë larguar. Vjen OSHEE, thotë ‘është punë e bashkisë’. Kemi mbetur në mes,” – shprehen tregtarët.
Qytetarët dhe punonjësit i bëjnë thirrje emergjente autoriteteve për të ndërhyrë sa më shpejt, për të shmangur një tragjedi të paralajmëruar.