Ka përfunduar numërimi në qarkun e Kukësit, ku janë numëruar të gjitha votat nga 139 kutitë e votimit. Qarku i Kukësit nxjerr 3 mandate deputetësh, të cilat janë ndarë në 2 mandate për koalicionin opozitar të Partisë Demokratike dhe 1 mandat për Partinë Socialiste.
Koalicioni PD-ASHM ka dominuar zgjedhjet në këtë qark, duke siguruar 52.95% të votave, ose 18,934 vota. Partia Socialiste ka arritur të marrë 30.68% të votave, që përkthehen në 10,670 vota, duke siguruar kështu mandatin e saj të vetëm në këtë qark. Ndërkohë Partia Socialdemokrate është konfirmuar si forcë e tretë në këtë qark duke marrë 14.16% të votave, ose 5,061 vota, por nuk ka arritur të sigurojë një mandat deputeti.
– Bashkia Kukës: PD-ASHM ka siguruar epërsinë me 46.77% të votave, e ndjekur nga PS me 31.22%. PSD ka marrë 19.45%, ndërsa partitë e vogla kanë regjistruar përqindje minimale.
– Bashkia Tropojë: PD-ASHM ka dominuar me 66.81% të votave, PS në vendin e dytë me 26.79% të votave, ndërsa partitë e vogla nuk arritën të kenë ndikim të madh.
– Bashkia Has: Edhe këtu PD-ASHM ka mbizotëruar me 52.57 % të votave, ndërsa PS ka marrë 33.07 % të votave.
Nga listat e mbyllura, kandidati Flamur Hoxha nga Partia Demokratike dhe Eduard Shalsi nga Partia Socialiste kanë siguruar mandatet e tyre në Kuvend.
Tashmë ka nisur numërimi për kandidatë dhe rezultatet përfundimtare të tyre do të japin një pasqyrë më të qartë të konfigurimit politik në Qarkun e Kukësit.