Kryetari i Partisë Demokratike Sali Bersiha, mbajti pak minuta më parë konferencën e parë për mediat pas procesit të mbylljes së votimit.
Në fjalën e tij ai ngriti akuza nga Partisë Socialiste për vendimet e marra së fundmi, të cilat sipas tij kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Teksa u pyet disa herë nëse do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por u bëri thirrje vëzhguesve që të vazhdojnë procesin e numërimit deri në votën e fundit.
“Presim rezultatin, PD do bëjë gjithë vlerësimin e saj. Kur mbillen dhjetëra hektarë kanabis për votë, kur punësohen me mijëra persona për të blerë vota, kur ngrihen zyra ilegale të PS pranë qendrave të votimit, nëse patë faljen dy netë më parë të 150 milion eurove gjoba, atëherë emrin zgjedhjeve ua vendosni vetë.
Nuk janë dhënë kurrë 138 licenca për kanabis, kurrë 100 euro për votë publikisht, nuk ka ndodhur kurrë që të falen 2 ditë para zgjedhjeve 150 mln euro gjoba, nuk ka ndodhur kurrë që të jenë në proces politik 3 liderët e partive opozitarë. Kjo është hera e parë. Kështu që asnjë prej këtyre nuk pajtohet me parimet e zgjedhjeve të lira
Opozitarët të tregojnë përkushtimin dhe seriozitetin tonë maksimal në numërimin dhe vlerësimin e çdo vote të hedhur në kuti dhe të mos kenë asnjë ndikim nga asgjë. Kjo është detyra më e rëndësishme për demokratët sot,” tha Berisha.
Teksa numërimi i votave vijon, dhe Partia Socialiste kryeson me 52.68% të votave. Mbetet për t’u parë se si do të jenë zhvillimet në orët e ardhshme.