Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar lidhur me krimet zgjedhore të kallëzuara gjatë ditës së djeshme.
Në një deklaratë për mediat, SPAK bëri të ditur se deri më tani janë administruar 156 materiale kallëzuese. Nga këto, për 39 raste janë regjistruar procedime penale, për 25 është vendosur mosfillimi i hetimeve, ndërsa 24 raste i janë kaluar për ndjekje prokurorive të rretheve.
Gjithashtu, 17 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë, me qëllim mbledhjen e informacioneve shtesë ose kryerjen e veprimeve të para hetimore. Një material është bashkuar me një çështje ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në proces verifikimi.
“39 procedime penale te regjistruara. 21 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit. 1 është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. 8 janë nisur kryesisht nga SPAK. 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. 3 janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. 3 janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike', thotë SPAK.
Pjesa më e madhe e procedimeve janë referuar për veprën penale korrupsion aktiv ose pasiv në zgjedhje.