Disa qytetarë janë përballur me një surprizë të pakëndshme gjatë shëtitjes së mëngjesit në parkun e liqenit Artificial të Tiranës.
Ata kanë treguar për JOQ ALBANIA, se sot, teksa ishin duke vrapuar në shëtitore, janë përballur me një gjarpër me përmasa gjigante.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë, duket qartë gjarpri teksa lëviz, duke tërhequr vëmendjen dhe shqetësimin e të gjithëve që ndodhen përreth. Gjatësia dhe përmasat e tij janë të dukshme dhe disa qytetarë madje vënë në pikëpyetje llojin e tij duke pyetur nëse është gjarpër apo jo.
"S'kam parë ndonjëherë kaq të madh! S'është gjarpër ky?"
Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një specie të rrezikshme, por ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e vizitorëve në këtë zonë të frekuentuar të qytetit.
Ngjarje të tilla vënë në dukje nevojën për monitorim dhe masa shtesë sigurie në hapësirat e gjelbra, veçanërisht gjatë muajve të ngrohtë, kur zvarranikët dalin më shpesh në sipërfaqe për shkak të temperaturave të larta. Qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm gjatë shëtitjeve në natyrë pasi me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave raste të tilla pritet të shtohen.