Procesi i numërimit të votave në KZAZ nr. 31, që ndodhet në ambientet e shkollës “1 Maji” në Tiranë, është ndërprerë përkohësisht për shkak të tërheqjes së anëtarëve të Partisë Demokratike.
Zv.kryetari i KZAZ-së, Kelvin Shkrela duke folur për mediat ka treguar se përfaqësuesit e PD-së janë larguar duke mos dhënë një arsye të qartë, përveçse kanë shprehur lodhje dhe kanë kërkuar zëvendësim, i cili nuk është realizuar. Për pasojë, numërimi po vijon me katër grupe të reduktuara.
“Na janë larguar numëruesit e PD-së, po procedojmë me katër grupe. Na ka ardhur një njoftim nga KQZ që sipas Kodit Zgjedhor do duhet ta mbyllim numërimin e votës së subjektit politik brenda orës 22:00. Në këto kushte do të detyrohemi të punojmë edhe me dy persona, që të arrijmë objektivin,” – tha Shkrela.
Aktualisht në këtë KZAZ, nga 105 qendra votimi, janë numëruar 17 dhe 4 të tjera janë në proces.
Shkrela sqaroi se procesi nuk është ndërprerë në kuptimin teknik, por po zhvillohet me staf të reduktuar. Pas përfundimit të numërimit për subjektet politike brenda orës 22:00, është planifikuar një pushim dyorësh, pas të cilit do të nisë numërimi i votave për kandidatët individualë.