Ka shkuar në dy numri i kutive të shpallura të pavlefshme në Bashkinë e Kamzës.
Bëhet fjalë për kutinë me numër 1567/1, e cila nuk do t’i nënshtrohet procesit të numërimit.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse kjo kuti është dëmtuar apo nëse ka pasur probleme me vulat e mbylljes, por Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor ka vendosur ta shpallë atë të pavlefshme. Kështu, nga gjithsej 89 kuti votimi në këtë bashki, vetëm 87 do të numërohen.
Kujtojmë se rasti i parë i kutisë së pavlefshme në Kamëz ndodhi në Bathore, ku megjithëse kutia ishte e vulosur në mënyrë të rregullt, u konstatua se disa fletë votimi ndodheshin jashtë saj. Dyshohet se mund të jetë hapur gjatë transportit drejt KZAZ-së, ose nuk ishte mbyllur siç duhet.
Autoritetet zgjedhore pritet të japin sqarime të mëtejshme për këto raste, ndërkohë që vëzhguesit dhe përfaqësuesit e partive politike vijojnë të ndjekin me vëmendje procesin e numërimit.