Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se rezultatet e votimit elektronik në dy zonat ku kjo metodë u aplikua, Njësia Nr.10 në Tiranë dhe bashkia Vorë, do të shpallen në orët e para të ditës së nesërme. Sipas tij, partitë politike kanë kërkuar që këto rezultate të mos publikohen menjëherë, por pas nisjes së tabulimit të votave për zonat e tjera ku është votuar me fletë.
“Në kushtet e një skepticizmi të një pjese të politikës, kemi vlerësuar të plotësojmë këtë kërkesë dhe ta shpallim rezultatin elektronik pasi të nisë procesi i tabulimit për KZAZ-të ku është votuar në mënyrë manuale. Rezultati për Vorën dhe Njësinë 10 pritet të jetë gati në orën 8 ose 9 të mëngjesit të së hënës,” u shpreh Celibashi.
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit me 140 deputetë, u mbyllën në orën 19:00. Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në rang kombëtar ka qenë 41.38% deri në orën 18:00. Procesi i votimit elektronik u aplikua vetëm në dy zona si pjesë e një projekti pilot për modernizimin e zgjedhjeve në Shqipëri.