Mbyllet zyrtarisht votimi, nis “beteja” për shpalljen e fituesit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.05.2025, 19:21

Është mbyllur orari zyrtar i votimit në të gjithë vendin për zgjedhjet parlamentare, ku shqiptarët votuan për të zgjedhur 140 deputetët që do të përfaqësojnë Kuvendin dhe për qeverinë e re katërvjeçare.

Ashtu si në proceset e mëparshme, kutitë e votimit do të mbeten të hapura vetëm për qytetarët që ndodheshin në radhë në momentin e përfundimit të orarit zyrtar.

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 18:00 pjesëmarrja në shkallë vendi kishte kaluar shifrën 41%. Mbi 3.7 milionë shqiptarë kishin të drejtë vote në këtë proces.

Një risi e këtyre zgjedhjeve ishte vota e diasporës, që për herë të parë pati mundësi të kontribuojë drejtpërdrejt në përcaktimin e përfaqësuesve në Kuvend.

Procesi në tërësi u zhvillua në mënyrë të qetë, megjithëse nuk munguan incidentet në disa zona të vendit. Janë raportuar përplasje mes komisionerëve, vonesa në hapjen e qendrave të votimit, si dhe disa raste të fotografimit të fletëve të votimit. Incidenti më serioz u regjistrua në KZAZ-në e Vorës, ku Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u përfshi në një përplasje verbale me dy shtetas të cilët u proceduan penalisht.

Këto zgjedhje shënojnë një moment vendimtar për skenën politike shqiptare. Kryeministri Edi Rama synon një mandat të katërt radhazi, ndërsa Sali Berisha kërkon rikthimin në pushtet pas një dekade e gjysmë në opozitë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit