Një ngjarje e pazakontë ndodhi pasditen e sotme në Tiranë, ku gazetarët zbuluan një zyrë të fshehtë të patronazhistëve në rrugën Marko Boçari.
Sapo vunë re praninë e kamerave, personat që ndodheshin brenda zyrës u larguan me nxitim, duke marrë me vete materialet dhe duke u përpjekur të shmangin identifikimin.
Situata u tensionua më shumë kur mbërriti deputeti Erjon Braçe, i cili kërkoi që gazetarja të largohej nga vendngjarja. Për disa momente, u shënua një përplasje verbale edhe mes tij dhe një përfaqësuesi të Partisë Demokratike.
“Ti dhe ky banditi këtu. M'u zhduk po të them! Nuk po të llogaris!” i thotë Braçe gazetares dhe përfaqësuesit të PD.
“Pse jeni në atë zyrë ku ka pasur persona të fshehur? Pse vini fshehurazi? Mos më prek me dorë! A është zyra juaj, apo jo? A është zyra e PS-së? Pse vini fshehurazi?”- pyet gazetarja.
Në disa momente ka pasur dhe përplasje fizike me një nga përfaqësuesit e PD-së Olek Hanku që ka bërë denoncimin në polici.
“Ik ore copë mishi mos të shoh këtu”– i drejtohet Braçe.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar me urgjencë drejtuesi politik i PD Belind Këlliçi i cili ka bërë denoncimin në policinë e kryeqytetit.