Një tjetër rast i shkeljes së fshehtësisë së votimit është regjistruar këtë të dielë në Qarkun e Elbasanit. Në fshatin Spathar të Librazhdit, një 43-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se fotografoi fletën e votimit gjatë procesit.
Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në Librazhd, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndaluan shtetasin M. F., i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.
Ngjarja ka ndodhur në qendrën e votimit nr. 2742, ku 43-vjeçari dyshohet se përdori një aparat celular për të fotografuar fletën e votimit. Pajisja është sekuestruar si provë materiale, ndërsa hetimet po vijojnë.
Ky është arrestimi i dytë për këtë vepër penale në Qarkun e Elbasanit brenda të njëjtës ditë, duke rritur shqetësimet për respektimin e standardeve zgjedhore.