Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e së enjtes në lagjen “Gurra” të qytetit të Lezhës. Një grua është përplasur nga një automjet në momentin që po kalonte në vijat e bardha.
E lënduara është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Burime nga spitali bëjnë me dije se po merren të gjitha masat për t’i shpëtuar jetën.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës, të cilët kërkojnë më shumë masa për sigurinë rrugore dhe respektimin e sinjalistikës për këmbësorët.