Ditën e sotme disa qytetarë kanë humbur të drejtën e votës për shkak të parregullsive me qendrat e votimit që nuk përkojnë me vendbanimin e tyre.
Një qytetare nga Tirana, e cila është e regjistruar si banore në njësinë numër 9, ka treguar për JOQ ALBANIA “eksperiencën” e saj të dështuar të votimit.
Ajo thotë se pasi ka marrë informacion nga e-Albania për qendrën e votimit, është paraqitur në shkollën "Aleks Buda" në Tiranë për të votuar. Por kur ka mbërritur aty, i kanë thënë se nuk ishte e regjistruar atje, por në një tjetër shkollë "Aleks Buda" që ndodhet në Cerrik.
Qytetarja duke mos patur asnjë lidhje me Cërrikun pasi vetë është me origjinë nga Burreli, ka kërkuar llogari dhe është paraqitur edhe në 3 qendra të tjera votimi, por më kot.
Pas këtyre sorollatjeve dhe fëmijës 5 muajsh që kishte me vete dhe qante, qytetarja ka hequr dorë nga votimi dhe është larguar në shtëpi.
Ajo thotë se me të njëjtin problem janë përballur edhe disa familje të tjera që më pas u detyruan të braktisin procesin e votimit.
Ky problem ka krijuar një shqetësim të madh, duke vënë në pikëpyetje efikasitetin e organizimit të zgjedhjeve dhe regjistrimin e saktë të votuesve.
Qytetarët kërkojnë një përgjigje të shpejtë dhe një mekanizëm ankesash për të trajtuar situatën dhe për të siguruar që e drejta e votës të ushtrohet pa pengesa.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje si jeni. Kemi nje problem per sa i perket votimit un jam nje banore e Tiranes dhe me kan sorrollatur ne 3 qendra votimi te ndryshme se me thon jo nuk je ketu jo nuk je ketu nderkoh mua me del ne E albania qe duhet te votoj tek shkolla Aleks Buda kur shkoj aty me thon qe nuk je ktu por ju del shkolla tjeter Aleks Buda ne Cerrik si perfundim nuk votova dot pasi jam me nje fmije te vogel 5 muajsh ne makine plus kerkova nje numer ku te ankohem dhe sme dhan asnje numer.
Pervec meje ishin dhe 2-3 familje tjera me te njejtin problem. Une jam nga burreli me vendbanim ne tr qe ne 2007, skam votuar me pare se skam qen ne shqiperi po familjen time e kap njesia nr 9
Me dhan nje leter tek njesia nr 9 sepse u paraqita atje edhe aty ndodheshin dy qendra votimi prit te njera 1 or aty sepse u prish ajo e shenjes gishtit pastaj kur erdhi rradha ime tha nuk jeni ktu po jeni tek ajo nr 2, pasi shkojm aty thon ti je tek shkolla aleks buda me nr 1952/00 shkova tek aleks buda me thon jo nuk je ketu se ka shkoll tjeter aleks buda ne tiran por shkolla tjeter aleks buda ndodhet ne cerrik prita 20'min dhe aty pastaj per ndonje sqarim te situates por po qante fmija dhe ika nuk votova fare